Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka aktivizuar një shërbim të ri, me të cilin vendimet për legalizimin e ndërtimeve informale u dërgohen qytetarëve drejtpërdrejt në profilin e tyre në platformën e-Albania.
Dokumenti zyrtar mbërrin menjëherë në telefon ose kompjuter, duke hequr nevojën për paraqitje fizike në sportele, pritje në radhë apo dërgim përmes postës. Ky ndryshim synon të përshpejtojë procedurat administrative dhe të rrisë sigurinë në dorëzimin e dokumentacionit.
Përfitimet kryesore të shërbimit përfshijnë:
- Rritjen e sigurisë në dorëzimin e vendimit;
- Shkurtimin e kohës për pajisjen me titullin e pronësisë;
- Një proces më të thjeshtë dhe transparent për qytetarët.
Në këtë mënyrë, shmangen radhët dhe burokracitë, ndërsa procedura zhvillohet në kohë reale.
Ky zhvillim konsiderohet pjesë e reformës për modernizimin e administratës publike, me qëllim ofrimin e aksesit më të shpejtë dhe më efikas në dokumentet e pronësisë.
Përditësime
Platforma e-Albania lançoi një shërbim të ri për aplikimin online për kalimin në pronësi të truallit shtetëror në përdorim. Aplikuesit ngarkojnë dokumentacionin direkt në sistem, pa paraqitje fizike.