Blerim Gashani, ministër i Rinisë dhe Sportit në Kosovë, ka marrë vendim për rritjen e koeficientit të mbështetjes financiare për sportistet dhe trajneret femra me 100%. Me këtë masë, përkrahja mujore dyfishohet nga 200 euro në 400 euro.
Njoftimin e bëri të ditur përmes faqes së tij zyrtare në Facebook, ku shkroi se ky është një hap i rëndësishëm për fuqizimin e grave në sport dhe krijimin e më shumë mundësive për zhvillim profesional, përkushtim dhe përfaqësim në arenën sportive.
Sipas deklaratës, sportistet kosovare kanë arritur sukseset më të mëdha ndërkombëtare për vendin, duke ngritur flamurin e Kosovës dhe promovuar sportin vendor në botë. Mbështetja për to shihet si obligim dhe investim në suksesin e sportit kosovar.
Ministria e Rinisë dhe Sportit thekson se do të vazhdojë mbështetjen për sportistet dhe trajneret femra përmes politikave që synojnë zhvillim të barabartë dhe avancim të sportit në vend. Ky është vendimi i parë i Gashani në postin e ri të ministrit.