Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori pjesë më 11 maj në Tiranë në përurimin e ambienteve të rikonstruktuara të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Investimi përfshin 4 salla gjykimi, 2 holle të gjykatës dhe 16 zyra gjyqtarësh.
Gogu vendosi investimin në kontekstin e reformës në drejtësi dhe të fazës përmbyllëse të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian për Kapitullin 23. "Europa nuk mat vetëm ekzistencën formale të institucioneve. Mat mënyrën si funksionojnë çdo ditë: efikasitetin e proceseve, standardin e administrimit gjyqësor, sigurinë juridike dhe besimin që qytetarët kanë tek drejtësia", u shpreh ai.
Si ish-kancelar i Gjykatës së Tiranës dhe ish-lektor i administrimit të gjykatave, Gogu theksoi se infrastruktura gjyqësore nuk është çështje periferike, por pjesë e cilësisë së drejtësisë. "Salla e gjyqit nuk është vetëm vendi ku lexohet një vendim. Është ambienti ku shteti duhet të garantojë paanshmëri, siguri, dinjitet procedural dhe autoritetin e ligjit", deklaroi ministri.
Ai kujtoi se në vitin 2003, në Gjykatën e Tiranës u ndërtuan 4 sallat e para moderne të gjykimit dhe nisi automatizimi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore, duke e cilësuar atë si moment të rëndësishëm në modernizimin e administrimit gjyqësor në Shqipëri.
Gogu u ndal te debati publik mbi masat e sigurisë në sallat e gjykimit, duke theksuar nevojën për balancë midis sigurisë dhe standardeve europiane të të drejtave të njeriut. "Gjykatat që trajtojnë krimin e organizuar kanë nevoja reale sigurie. Por çdo masë sigurie duhet të jetë proporcionale, funksionale dhe në përputhje me standardet europiane", tha ai.
Ministri vlerësoi se reforma në drejtësi ka hyrë në fazën e konsolidimit të institucioneve dhe standardeve, ndërsa sfida kryesore mbetet rritja e efikasitetit, profesionalizmit dhe besueshmërisë publike të sistemit. Kryegjyqtari i posaçëm, Erjon Bani, theksoi se ambientet dinjitoze lidhen jo vetëm me paraqitjen, por edhe me cilësinë e gjyqësorit.