Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot Adriatik Kupi si Drejtor të ri të Përgjithshëm të Burgjeve në një ceremoni me praninë e drejtuesve dhe punonjësve të sistemit penitenciar.
Gjatë fjalës së tij, Gogu falënderoi drejtorin në largim, Klevis Qose, për punën dhe kontributin e dhënë gjatë dy viteve në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ministri theksoi se ndryshimi në drejtim lidhet vetëm me fuqizimin e sistemit penitenciar, në funksion të rritjes së standardeve të administrimit, disiplinës dhe përgjegjësisë institucionale.
“Ky ndryshim ka të bëjë vetëm me fuqizimin e sistemit. Sot kemi nevojë për më shumë disiplinë në çdo nivel, sepse duhet të sigurojmë që qytetarët të kenë jo vetëm besim, por edhe respekt për institucionet tona,” u shpreh Ministri i Drejtësisë.
Duke i uruar suksese Adriatik Kupit, Gogu nënvizoi rëndësinë e drejtimit me profesionalizëm, integritet dhe standarde të larta, në përputhje me objektivat e reformimit të sistemit dhe angazhimet nga procesi i integrimit europian të Shqipërisë. Forcimi i sistemit penitenciar është pjesë e drejtpërdrejtë e rrugës drejt Bashkimit Europian, ku standardet europiane kërkojnë institucione më të forta, efikase dhe përgjegjëse.
Nga ana e tij, Drejtori i ri i Burgjeve shprehu mirënjohje për besimin e dhënë dhe u angazhua për ushtrimin e detyrës me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të plotë. “Do ta ushtroj këtë detyrë me profesionalizëm dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Do të mbështetem te ekipi, te bashkëpunimi dhe te integriteti institucional për të arritur rezultatet që kërkohen sot nga institucionet penitenciare në Shqipëri,” tha Kupi.
Ministria e Drejtësisë mbetet e angazhuar për modernizimin e sistemit penitenciar në përputhje me standardet europiane.