Abbas Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, do të vizitojë të premten Turqinë për bisedime me Hakan Fidan, homologun turk, në lidhje me zhvillimet e fundit në Iran dhe tensionet në rritje me Shtetet e Bashkuara.
Vizita vjen pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili i ka kërkuar Iranit të ulet në tryezën e negociatave për programin bërthamor, duke kërcënuar me sulm të mundshëm në rast mosmarrëveshjeje. Trump ka paralajmëruar Teheranin kundër vrasjes së protestuesve antiqeveritarë ose rinisjes së programit bërthamor dhe ka thënë se ka dërguar një armadë në Lindjen e Mesme.
Irani ka shtypur protestat masive brenda vendit, më të mëdhatë që nga revolucioni i 1979-s, duke vrarë ose arrestuar mijëra persona. Zyrtarët iranianë fajësojnë për trazirat armiqtë e vendit, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, dhe kanë kërcënuar me kundërpërgjigje ndaj tyre dhe aleatëve.
Turqia, anëtare e NATO-s dhe fqenie me Iranin, kundërshton çdo ndërhyrje të huaj ndaj Teheranit. Hakan Fidan do të përcjellë shqetësimin e Ankarës për stabilitetin rajonal dhe do të theksojë rëndësinë e sigurisë së Iranit. Ai do të paralajmërojë se një sulm ushtarak do të krijojë rreziqe globale dhe do të ofrojë mbështetjen e Turqisë për zgjidhjen e shpejtë të tensioneve me Uashingtonin, duke përfshirë programin bërthamor iranian.
Ankara ka kontaktuar të dyja palët për të shmangur destabilizimin në rajon.