Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD) me kërkesë zyrtare për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Irena Brahimi të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Kërkesa bazohet në ankesën e shtetasit E.L., të mbërritur në rrugë elektronike. Ministria e Drejtësisë ka kryer verifikim administrativ për çështjen penale me objekt “Kundërshtim i vendimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për mosfillimin e procedimit penal”.
Sipas ministrit Lamallari, gjyqtarja Brahimi vonoi zbardhjen e vendimit të arsyetuar për 1 vit, 10 muaj dhe 20 ditë, duke tejkaluar afatin ligjor të nenit 430/1 të Kodit të Procedurës Penale. Ky nen parashikon arsyetimin brenda 30 ditëve nga shpallja e vendimit të përmbledhur, me mundësi zgjatjeje për 30 ditë të tjera në rastet e parapara.
Në shkresën drejtuar ILD-së, ministri argumenton se vonesa cenon standardin e gjykimit brenda afatit të arsyeshëm dhe pengon palët në ushtrimin në kohë të mjeteve të ankimimit, duke ndikuar në të drejtën për proces ligjor të rregullt. Ai vlerëson se ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për procedim disiplinor për shkelje të detyrimeve procedurale.
Kjo është kërkesa e pestë që Lamallari i drejton ILD-së që nga marrja e detyrës, nga të cilat 4 për hetim disiplinor dhe 1 për verifikim ankese. Ministria e Drejtësisë ndjek me vëmendje edhe raste të tjera të ngjashme.