Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka kërkuar fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Eglantina Mikani, për shkelje procedurale në trajtimin e çështjes penale ndaj shtetasit Renato Faskaj (R.F.), i akuzuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.
Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Drejtësisë, vendimi penal u shpall më 14 dhjetor 2022, ndërsa vendimi i arsyetuar dhe dosja përkatëse u depozituan në sekretarinë gjyqësore më 7 mars 2024, me një vonesë prej 14 muajsh e 24 ditësh. Kjo vonesë bie ndesh me afatet e Kodit të Procedurës Penale.
Lamallari vlerëson se vonesa ka pasur pasoja juridike, pasi vendimi mori formë të prerë më 20 maj 2024, duke ia hequr të pandehurit mundësinë për të përfituar nga amnistia e parashikuar në ligjin nr. 33/2024.
Në kërkesën drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) argumentohet se veprimet e gjyqtares bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, që detyrojnë gjyqtarët të arsyetojnë vendimet brenda afateve ligjore.
Kërkesa mbështetet në nenin 71/2 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nenin 6, pika 10 të ligjit nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë” dhe nenin 119/2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Ky është rasti i dytë që nga marrja e detyrës nga Lamallari për një kërkesë të tillë.
Përditësime
Lamallari kërkoi në dhjetor 2025 hetim disiplinor ndaj gjyqtarit të Lezhës Ilir Përdeda për moszbardhjen e vendimit për një vit.
Ministria e Drejtësisë njoftoi se po ndjek me vëmendje raste të tjera në gjyqësor dhe do t'i adresojë në institucionet përkatëse, duke theksuar respektimin e afateve procedurale.