Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka bërë thirrje për kujdes maksimal në parandalimin e zjarreve, duke theksuar se çdo zjarr i shkaktuar nga dora e njeriut përbën vepër penale. Në një reagim në rrjetet sociale, ai nënvizoi se mbrojtja e pasurive natyrore dhe jetës së qytetarëve është një përgjegjësi e përbashkët.
Sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal, dënimet për zjarrvënien janë shkallëzuar si më poshtë:
• 5 deri në 8 vite burg: Për zjarrvënie gjatë stinës së nxehtë, në kushte që favorizojnë përhapjen ose pranë zonave të banuara.
• 4 deri në 10 vite burg: Për dëmtim të zonave të mbrojtura, objekteve të trashëgimisë kulturore, objekteve të kultit, monumenteve të kulturës ose infrastrukturës kritike.
• 7 deri në 15 vite burg: Në rastet kur zjarrvënia kryhet me qëllim ndryshimin e kategorisë ose destinacionit të tokës.
Ministri Lamallari kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e rregullave dhe raportimin e rasteve të dyshimta. Ai shtoi se autoritetet do të zbatojnë politikën e “tolerancës zero” për çdo rast, duke vënë në dukje koston e lartë njerëzore dhe logjistike që shkaktojnë këto ngjarje, të cilat shpesh kërkojnë mobilizimin e helikopterëve dhe forcave të shumta në terren.