Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka bërë të ditur se qeveria është drejt finalizimit të një skeme të re për sigurimet në bujqësi. Nisma synon të ofrojë një mekanizëm mbrojtës për prodhuesit bujqësorë ndaj fatkeqësive natyrore, të cilat shpeshherë dëmtojnë të ardhurat dhe punën e fermerëve gjatë një viti.
Sipas ministrit, ky vendim vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të shprehura nga fermerët gjatë takimeve të shumta në mbarë vendin. Dëmet e shkaktuara nga fenomenet atmosferike, si ngricat, breshëri, përmbytjet dhe zjarret, janë identifikuar si sfidat kryesore që kërkojnë ndërhyrje institucionale.
Skema është konceptuar të jetë e aksesueshme për të gjitha llojet e fermave, pavarësisht përmasave të tyre. Një nga komponentët më të rëndësishëm të këtij instrumenti financiar është ndërhyrja e shtetit. Përmes Buxhetit të Shtetit, do të mbulohet një pjesë e primit të sigurimit, me qëllim që kostoja e shërbimit të bëhet më e përballueshme për fermerët.
Andis Salla theksoi se objektivi i kësaj nisme është rritja e qëndrueshmërisë së sektorit dhe krijimi i një sistemi më të përgatitur për përballimin e rreziqeve të paparashikuara. Puna për jetësimin e kësaj skeme do të vijojë me qëllim shndërrimin e këtyre masave në zgjidhje konkrete për prodhuesit vendas, duke siguruar që fermeri të mos mbetet i pambrojtur përballë stuhive apo ngjarjeve të tjera ekstreme që mund të dëmtojnë punën e një viti të tërë.
Përditësime
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se skema e propozuar nga Ministri Andis Salla shënon një tërheqje të qeverisë nga premtimi për dëmshpërblim të drejtpërdrejtë për fermerët e prekur nga përmbytjet. Pas 8 muajsh pritjeje, ku procesi ka mbetur i kufizuar vetëm në inventarizimin e dëmeve, analistët e cilësojnë këtë nismë si një mekanizëm të vonuar. Megjithëse ekspertët e shohin skemën si një hap pozitiv për ndërgjegjësimin mbi sigurimet bujqësore, ata theksojnë se ajo nuk zëvendëson mbështetjen financiare të prekur më parë për fatkeqësitë e ndodhura.