Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka urdhëruar 22 inspektime të plota ndaj shërbimit noterial në mbarë vendin gjatë periudhës shtator-dhjetor 2025, kur sapo kishte marrë detyrën. Këto u nisën nga ankesat e qytetarëve dhe raportimet mediatike.
Në përfundim të inspektimeve u konstatuan 12 penalitete, përfshirë heqje licencash. Ndaj 6 noterëve u lëshua masa e vërejtjes me paralajmërim për heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të noterit.
Licencat iu hoqën noterëve Frida Muçmatajt dhe Valentin Lleshit, pasi kishin mbushur moshën ligjore të daljes në pension, por vazhdojnë të ushtrojnë profesionin. Krahas masave disiplinore u vendosën gjoba me vlerë rreth 6 milionë lekë të vjetra për shkelje të ndryshme.
Ministri Besfort Lamallari ka urdhëruar inspektime të tjera për shërbimin noterial në fillim të vitit 2026. Këto raste janë ende në proces dhe rezultatet priten të komunikohen në muajt e ardhshëm.
Ministria e Drejtësisë ushtron rolin e organit mbikëqyrës dhe kontrollues të sistemit noterial. Ajo monitoron veprimtarinë e noterëve nga pikëpamja ligjore, për të siguruar koherencë me nevojat e shoqërisë dhe zhvillimin e ekonomisë së lirë. Kjo përfshin menaxhimin racional e transparent të ushtrimit të një funksioni publik nga profesionistët privatë. Besueshmëria, transparenca dhe eficenca janë në themel të këtij profesioni.