Ministria e Financave ka dërguar për konsultim institucioneve të linjës projektligjin e rishikuar “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, duke shtuar edhe mbrojtjen nga përmbytjet. Kjo iniciativë lidhet me dëmet e konsiderueshme të shkaktuara nga përmbytjet në fillim të këtij viti.
Të gjithë qytetarët do të kenë detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit. Çmimi i sigurimit miratohet nga Këshilli i Ministrave, mbi bazën e riskut, zonës gjeografike dhe tipologjisë së ndërtesës. Metodologjia e llogaritjes së primës mbështetet në modele të zhvilluara për kushtet e Shqipërisë.
Projekti synon krijimin e një mekanizmi financiar të detyrueshëm për përballimin e humbjeve materiale në prona, duke zhvendosur peshën nga reagimi pas ngjarjes drejt parandalimit dhe menaxhimit të riskut. Skema administrohet nga Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet.
Në rast fatkeqësie natyrore, dëmet vlerësohen nga ekspertë të licencuar, ndërsa dëmshpërblimi paguhet nga Fondi brenda afateve të përcaktuara. Mbulimi përfshin dëmet materiale të banesës dhe sendeve brenda saj, por përjashton humbjet e aktivitetit ekonomik apo fitimet e munguara.
Drafti i mëparshëm u hodh për konsultim publik në korrik 2025, por nuk u miratua nga qeveria gjatë vitit të kaluar.
Përditësime
Ministria e Financave paralajmëron se primi i sigurimit pritet të jetë më i lartë se në modelin e mëparshëm, vetëm për tërmetet.
Detajet e reja:
- Fondi krijohet si person juridik publik në formën e shoqërisë aksionare, sipas Ligjit për Tregtarët.
- Shuma maksimale e sigurimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Financave.
- Metodologjia aktuariale miratohet nga Këshilli pas mendimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
- Fondi mbulon edhe seksionet brenda banesash të përdorura si zyra ose njësi të ngjashme.
Këshilli i Ministrave do të përcaktojë kriteret konkurruese për përzgjedhjen e agjentëve publikë dhe privatë, si dhe të shoqërive të sigurimit.
Ministri Petrit Malaj deklaroi më 26 janar 2026 se nuk parashikohej sigurim për përmbytjet. Drafti i ri i projektligjit e përfshin atë:
- Neni 2 përcakton qëllimin për mbulim nga tërmetet dhe përmbytjet.
- Neni 8 specifikon metodologji aktuariale të veçantë për rrezikun e përmbytjeve, bazuar në modelin e zhvilluar për Shqipërinë.