Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike dhe raportimet mediatike për procesin e prokurimit të tre avionëve zjarrfikës. Institucioni ka hedhur poshtë pretendimet për një "tender të mbyllur" apo paligjshmëri, duke pohuar se procedura është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar për mbrojtjen dhe sigurinë.
Sipas njoftimit, në procedurën konkurruese morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Kompania fituese, AVIATION TRADE EUROPE, S.L., u përzgjodh pasi paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore, ekonomike dhe teknike. Ministria sqaroi se kompania fituese disponon një certifikatë të regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal.
Në lidhje me çështjen gjyqësore në Spanjë që është përfolur si pengesë për kompaninë, Ministria thekson se vendimi i gjykatës nuk ka marrë ende formë të prerë dhe ndodhet në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ky proces nuk sjell efekte juridike që do të ndalonin pjesëmarrjen e kompanisë në procedura publike prokurimi. Si dëshmi të besueshmërisë së saj, Ministria njoftoi se kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s, si Ministria e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministria e Brendshme e Malit të Zi.
Ky investim konsiderohet nga Ministria e Mbrojtjes si një projekt me rëndësi strategjike për forcimin e kapaciteteve të sigurisë civile, mbrojtjen e pasurisë, mjedisit dhe jetës së qytetarëve. Institucioni rikonfirmoi angazhimin për të zbatuar procedurat me transparencë dhe në respekt të interesit publik.