Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për pranimin e gjashtë mjekëve të përgjithshëm në Regjimentin e Mjekësisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Afati i aplikimit është nga data 11 deri më 25 maj 2026. Kandidatët duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kenë diplomë universitare në mjekësi të përgjithshme dhe licencë profesionale të vlefshme. Ata duhet të jenë mbi 18 vjeç dhe jo më të vjetër se 30 vjeç në ditën e mbylljes së konkursit. Kërkohet edhe gjendje e mirë shëndetësore dhe fizike, si dhe figurë e pastër pa dënime penale.
Procesi i përzgjedhjes përfshin test me shkrim me peshë 70 për qind, intervistë me peshë 30 për qind dhe ekzaminim mjekësor. Dokumentet e nevojshme janë diploma, licenca, ekstrakti i lindjes, certifikata nga gjykata, kopja e dokumentit të identifikimit dhe fotografia.
Pas pranimit, kandidatët e përzgjedhur do të ndjekin Stërvitjen Ushtarake Bazë për Specialistë. Pas dy viteve shërbim ata mund të vazhdojnë specializimin e ofruar nga FSK-ja. Aplikimi bëhet online në platformën zyrtare të rekrutimit të FSK-së.