Prodhimi i energjisë elektrike nga gazi natyror është rikthyer në debat publik në Kosovë, pas viteve heshtjeje institucionale.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo e bëri këtë deklaratë gjatë pjesëmarrjes në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur më 24 shkurt në Uashington.
Kosova është një nga vendet më të varura nga qymyri në Evropë. Rreth 90% e energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet e vjetra Kosova A dhe Kosova B, të cilat konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj industrialë në vend.
Rizvanolli theksoi se siguria kombëtare është siguri energjetike dhe bashkëpunimi me shtetet partnere është vendimtar për një sektor energjetik të sigurt.
Samiti është një nismë amerikane që synon forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor. Qëllimi është furnizimi më i sigurt me gaz, zgjerimi i infrastrukturës energjetike dhe ulja e varësisë nga gazi rus. Së fundmi, platformës iu bashkuan Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia, duke e zgjeruar grupin në më shumë se dhjetë shtete.
Rëndësia e këtij samiti u rrit pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, duke e kthyer sigurinë energjetike në prioritet strategjik. Shumë vende të Evropës Juglindore furnizohen ende me gaz rus përmes tubacionit Rrjedha Turke, i cili kalon përmes Detit të Zi, Turqisë, Bullgarisë dhe Serbisë deri në Hungari.
SHBA synon të rrisë praninë në tregun evropian të gazit përmes Korridorit Vertikal. Radio Evropa e Lirë tentoi disa herë të kontaktonte ministrjen dhe ekipin e saj për detaje të mëtejshme, por nuk mori përgjigje.