Anu Prattipati, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, u takua me Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë së Kosovës, për të diskutuar zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e energjisë dhe minierave.
Ambasada shkroi se Prattipati riktheksoi angazhimin për krijimin e mundësive për bizneset amerikane, veçmas për ato në sektorin e gazit të lëngshëm natyror dhe minierave. "Mezi presim vazhdimin e bashkëpunimit në fushat që promovojnë prosperitet të ndërsjellë", thuhet në postimin e Ambasadës në rrjetet sociale.
Situata aktuale e energjisë në Kosovë
Kosova nuk ka rrjet gazsjellësish për shpërndarjen e gazit natyror, as sistem institucional për menaxhimin e këtij sektori. Vendin e furnizon me energji elektrike kryesisht qymyri, pasi rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet Kosova A dhe B, të cilat janë të vjetra.
Deklaratat e ministres Rizvanolli
Gjatë Samitit Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit në Uashington më 24 shkurt, Rizvanolli shprehu gatishmërinë për furnizim me gaz nga SHBA-ja. Ajo theksoi se përballueshmëria e energjisë është prioritet kyç dhe Kosova ndjek qasje të dyfishtë: rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese dhe eksplorimin e teknologjive të reja, përfshirë gazifikimin e thëngjillit, me gatishmëri për bashkëpunim me Qeverinë dhe kompanitë amerikane.
Strategjia dhe sfidat
Në Strategjinë e Energjisë së Kosovës për 2022-2031 parashikohet lidhja me rrjetet rajonale të gazit. Për shkak të mungesës së daljes në det, ndërtimi i infrastrukturës kërkon bashkëpunim me shtetet fqinje. Opsione përfshijnë lidhjen me infrastrukturën në Shqipëri ose Greqi, përmes gazsjellësit TAP ose terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë.
SHBA-ja synon të rrisë praninë në tregun evropian të gazit përmes Korridorit Vertikal, duke përdorur ose zgjeruar infrastrukturën ekzistuese.