Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezana Paunoviç, ka sqaruar deklaratat e saj të mëparshme gjatë një interviste për TV Prva. Ajo u shpreh se përdorimi i termit "spastrim etnik" ishte zgjedhje e papërshtatshme, duke theksuar se fjala "deportim" do të kishte qenë më adekuate për të shmangur reagimet e ashpra.
Paunoviç vlerësoi se pjesë nga intervista e saj në Kurir TV ishin keqpërdorur dhe shkëputur nga konteksti. Megjithatë, ajo refuzoi dorëheqjen nga posti i ministres, duke deklaruar se një kërkesë e tillë duhet të vijë nga shumica e popullit serb.
Gjatë intervistës, ministrja serbe drejtoi akuza të drejtpërdrejta ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ajo e akuzoi Sveçlën se ka qenë pjesë e UÇK-së dhe se ka marrë pjesë në aktivitete të cilat ajo i përshkroi si krime lufte dhe trafikim organesh në rajonin e Dukagjinit.
Këto deklarata pasojnë reagimet e forta ndaj deklaratës së saj të mëparshme, ku ministrja Paunoviç kishte pohuar se, po të kishte qenë në vendin e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në vitin 1998, do të kishte ndërmarrë veprime për spastrimin etnik të Kosovës.