Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë një vizite në Spitalin Onkologjik, bëri të ditur zhvillimet e reja që synojnë përmirësimin e shërbimit për pacientët. Ajo njoftoi hartimin e një udhëzuesi të ri, i cili është duke u diskutuar me mjekët, me qëllim lehtësimin e procedurave dhe rritjen e aksesit në shërbimet onkologjike.
Një ndër pikat kryesore të njoftimit është ngritja e bordeve të tumorëve në spitalet rajonale. Sipas ministres, ky organizim do të zbatohet në ato spitale që disponojnë kirurgë, onkologë dhe infrastrukturën e duhur. Qëllimi është vlerësimi multidisiplinar i pacientëve sa më pranë vendbanimit të tyre, duke shmangur kështu nevojën për transferim të detyrueshëm në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT), kur kjo nuk është e domosdoshme.
Në fjalën e saj, ministrja Klodiana Spahiu iu referua edhe muajit të ndërgjegjësimit për shëndetin e gjirit, të njohur si Tetori Rozë. Ajo apeloi për diagnostikim të hershëm, duke theksuar se kontrollet mjekësore shpëtojnë jetë dhe u ofrojnë mundësi më të mira trajtimi pacientëve dhe familjeve të tyre. Ministrja ftoi gratë dhe vajzat që ta shfrytëzojnë këtë periudhë për t'i kushtuar vëmendje shëndetit të tyre nëpërmjet kontrolleve parandaluese.