Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, njoftoi më 3 nëntor, gjatë një vizite në Spitalin Rajonal të Vlorës, se nga 1 janari 2027 pikat e kimioterapisë në spitalet rajonale do të lidhen me qendrat shëndetësore. Rrjetëzimi do të bëhet i mundur me vënien në funksion të Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe synon të sigurojë ndjekje të vazhdueshme e kujdes të koordinuar për pacientët me sëmundje tumorale.
Sipas Spahiut, lidhja mes shërbimeve do të përmirësojë komunikimin ndërmjet mjekëve onkologë dhe mjekëve të familjes, në mënyrë që pacientët të ndiqen në vazhdimësi dhe të marrin shërbimet sipas nevojave të tyre. Ajo tha se vëmendje e veçantë do t’u kushtohet pacientëve që jetojnë në zona të largëta, të moshuarve dhe personave me vështirësi në lëvizje, për t’ua lehtësuar aksesin në shërbimet shëndetësore.
Gjatë vizitës në Vlorë, Spahiu u takua me stafin mjekësor dhe u ndal edhe te shërbimi i hemodializës. Spitali Rajonal i Vlorës është një prej pesë spitaleve rajonale ku, prej 1 nëntorit, shërbimi i hemodializës ka kaluar në administrimin e strukturave shtetërore.
Në takimin me stafin u bë e ditur se në ambientet e mamografisë së spitalit janë kryer 342 ekzaminime gjatë tetorit. Spahiu theksoi se kontrollet parandaluese për kancerin e gjirit duhet të vijojnë gjatë gjithë vitit dhe të mos përqendrohen vetëm në muajin e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje.