Kyriakos Mitsotakis deklaroi në Samitin e Energjisë Bërthamore në Paris se Greqia do të studiojë rolin e reaktorëve të vegjël modularë në sistemin energjetik të vendit. Ai u shpreh se "Greqia po hap një faqe të re. Ka ardhur koha që vendi im të shqyrtojë nëse energjia bërthamore, dhe veçanërisht reaktorët e vegjël, mund të luajnë një rol në sistemin energjetik grek". Kjo deklaratë erdhi më 12 mars 2026 dhe nuk përfshin angazhim për ndërtimin e centraleve bërthamore.
Disa specialistë të energjisë greke e vlerësojnë hapjen e këtij debati si të nevojshme. Ata theksojnë se teknologjia moderne bërthamore është më e sigurt se në të kaluarën dhe mund të shërbejë si burim bazë që plotëson prodhimin nga burimet e rinovueshme.
Ekspertë të tjerë nënvizojnë se një vendim i tillë kërkon vite studimi, konsensus politik e shoqëror, si dhe investime të mëdha.
Reagimet politike janë të ashpra. Socialistët e PASOK-ut akuzojnë qeverinë për kontradikta dhe mungesë strategjie. Sipas tyre, energjia bërthamore rrit varësinë nga jashtë për karburant, teknologji dhe menaxhim mbetjesh. Kostot e saj janë më të larta se të energjisë së rinovueshme, ndërsa Greqia duhet të investojë në alternativa si magazinimi i energjisë dhe gjeotermia.
Opozita e SYRIZA-së e kundërshton kategorikisht idenë. Ata e quajnë energjinë bërthamore të rrezikshme për një vend sizmik si Greqia dhe të papajtueshme me modelin e zhvillimit të qëndrueshëm. Lideri i partisë theksoi se kjo teknologji nuk është më e lirë dhe mund të krijojë rreziqe serioze për mjedisin dhe sigurinë publike.
Ky debat, tabu për dekada në Greqi, tani ka nxitur përplasje mes qeverisë, ekspertëve dhe opozitës.