Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njofton se, pas periudhës informuese deri më 15 mars 2026, nga 16 marsi fillon zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete. Qytetarët mund të aplikojnë për lejeqëndrim ose lajmërim të adresës.
Kjo masë ndërmerret në përputhje me deklarimet e kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian Peter Sorensen të datës 14 mars 2026.
Ministria do të nxjerrë aktet administrative për regjistrimin, për një periudhë tre mujore, të fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes të regjistruara deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale paralele serbe. Qëllimi është integrimi i tyre në Regjistrin Civil të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, do të nxjerrë vendime për njohjen përkohshme të kartave të identitetit të lëshuara nga këto struktura, ekskluzivisht për qëllime identifikimi, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
MPB do të bashkëpunojë me Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Policinë e Kosovës për të ofruar informacionin dhe udhëzimet e nevojshme qytetarëve të prekur. Ministria përgatitet për lëshimin e lejeqëndrimeve të përkohshme pas pranimit të listave të punëtorëve në sistemin shëndetësor dhe arsimor nga komunat, si dhe pas aplikimeve individuale, sipas procedurave ligjore.
Të gjitha veprimet synojnë zbatim të rregullt, të koordinuar dhe gjithëpërfshirës të ligjeve, duke garantuar qasje në shërbime dhe siguri juridike për qytetarët, në përputhje me standardet evropiane dhe sundimin e ligjit.
Përditësime
MPB bën të ditur se deklarimi i adresës për shtetasit e huaj brenda 3 ditëve nga hyrja është obligim ligjor dhe mund të kryhet përmes aplikacionit për Android.
Arlind Manxhuka, zëdhënës i MPB-së, ka njoftuar lansimin e vegëzës foreignerregistration.kosovopolice.com:8444 për regjistrim/çregjistrim të adresave të të huajve në shqip, serbisht dhe angleze, si dhe aplikacionet për iOS dhe Android.
Aplikacionet nuk ishin funksionale të dielën, sipas Koha.net, e cila nuk mori përgjigje nga Qeveria.
Nga 16 marsi, MPB pranon aplikime për lejeqëndrim dhe njohje përkohshme të kartave serbe.