Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë thirrje për një angazhim më të koordinuar nga institucionet e Kosovës në lidhje me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Sipas tij, vëmendja kryesore e shtetit duhet të drejtohet te procesi i apelit, pasi beteja në gjykatë nuk ka pasur rezultatin e synuar.
Në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Qelaj nënvizoi se interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës është kërkimi i drejtësisë nga gjykata, e jo zhvillimi i politikës karshi saj. Ai propozoi ndërmarrjen e hapave konkretë, që përfshijnë ndryshime të mundshme ligjore dhe krijimin e një ekipi shtetëror, i cili do të koordinonte strategjinë e veprimeve të Kosovës.
Kërkesa ndaj institucioneve ndërkombëtare
Krahas kësaj, Avokati i Popullit ka kërkuar që shqetësimet e Kosovës të adresohen zyrtarisht pranë Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Qelaj vlerësoi se, ndonëse këto institucione deklarojnë vazhdimisht se nuk ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë, ato mbajnë përgjegjësi për të mbikëqyrur respektimin e standardeve ligjore, të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut nga gjykatat e specializuara. Ai theksoi se këto institucione ndërkombëtare nuk duhet të shpërfillin rolin e tyre mbikëqyrës në këto procese.