Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara të Tribunalit në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përmes një deklarate publike, Tërnava e vlerësoi vendimin si juridikisht të kontestueshëm dhe të ndikuar politikisht, duke shtuar se ai nuk është në përputhje me standardet e një procesi të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë ligjërisht.
Sipas Tërnavës, ky vendim bart rrezikun e relativizimit të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, të cilat ai i përshkroi si një kapitull të pashlyeshëm të historisë. Pavarësisht aktgjykimit, Myftiu i Kosovës theksoi se asnjë vendim nuk mund ta cenojë të vërtetën historike, dinjitetin e viktimave apo sakrificën e popullit për liri dhe pavarësi.
Në deklaratën e tij, Tërnava riafirmoi mbështetjen për ish-pjesëtarët e UÇK-së, duke theksuar se lufta për drejtësi dhe mbrojtja e integritetit të udhëheqësve të saj do të vazhdojë. Në këtë kontekst, ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të tregojnë pjekuri qytetare dhe përgjegjësi të lartë.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë pjekuri qytetare dhe përgjegjësi të lartë, të ruajnë qetësinë dhe dinjitetin, të jenë pranë çlirimtarëve dhe në krah të vlerave të luftës, dhe të kontribuojnë në forcimin, konsolidimin dhe funksionalizimin e shtetit tonë”, theksoi Tërnava në mesazhin e tij.