Fatmir Olluri, 52 vjeç, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dobraja e Madhe e Lipjanit, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e datës 4 gusht. Pas gjetjes së të plagosurit me plagë në kokë, familjarët e kanë dërguar atë fillimisht në Emergjencën e Lipjanit, ndërsa më pas është transferuar për trajtim të specializuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 52-vjeçari ka ndërruar jetë në Intensiven Qendrore më 5 gusht, rreth orës 18:45.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, të cilat kanë sekuestruar një pistoletë me dy fishekë. Sipas raporteve, fillimisht është iniciuar rasti si "Vetëvrasje në tentativë", ndërsa pas vdekjes së viktimës, prokuroria ka urdhëruar që çështja të hetohet si "Hetim mbi vdekjen". Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t'iu nënshtruar obduksionit.
Vdekja e Fatmir Ollurit ka nxitur reagime të shumta, veçanërisht nga Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Lipjan. Kryetari i kësaj dege, Shukri Buja, ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, duke vlerësuar kontributin e tij në luftën për liri. Olluri, i cili pas luftës kishte vijuar angazhimin në jetën publike, kujtohet si një person që ishte kthyer vullnetarisht nga Gjermania për t'iu bashkuar radhëve të UÇK-së gjatë periudhës së luftës çlirimtare.