Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka bërë të ditur një ndryshim në organizimin e ditës së parë të vitit shkollor 2026–2027. Në përputhje me një udhëzim të ri, dita e parë e shkollës, e përcaktuar për datën 14 shtator, nuk do të zhvillojë proces mësimor të rregullt, por do t'i kushtohet tërësisht orientimit dhe informimit të nxënësve.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i këtyre aktiviteteve është krijimi i një përvoje pozitive që nxit dashurinë për dijen. Nxënësit do të njihen me:
• Rregulloren e brendshme, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre;
• Masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura;
• Kodin e veshjes dhe rregullat e sigurisë në mjediset shkollore.
Procesi i orientimit do të realizohet nga i gjithë stafi arsimor, përfshirë mësuesit kujdestarë, shërbimin psiko-social dhe oficerët e sigurisë. Nxënësit do të njihen me mjediset e institucionit, si klasat, laboratorët, bibliotekat dhe hapësirat sportive. Një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet njohjes së nxënësve me programin Pas Shkolle, i cili për këtë vit akademik do të shtrihet në 408 shkolla në të gjithë vendin.