Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi këtë të hënë nxënësit dhe mësuesit për nisjen e vitit të ri shkollor. Përmes një mesazhi të publikuar, kreu i shtetit theksoi se shkolla nuk është thjesht një vend për të marrë dije, por një hapësirë ku të rinjtë përgatiten të marrin përgjegjësi.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj vlerësoi se çdo ditë në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar dhe për të ëndërruar. Ai nxiti nxënësit të besojnë te vetja dhe te ëndrrat e tyre, duke theksuar se e ardhmja është në duart e tyre. Një vëmendje e veçantë iu kushtua fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, të cilëve u uroi një vit të mbarë dhe të suksesshëm.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohje për trupën mësimore, duke vlerësuar përkushtimin, durimin dhe dashurinë me të cilën mësuesit ushtrojnë misionin e tyre fisnik. Sipas Begajt, kjo është një detyrë jashtëzakonisht e rëndësishme, për të cilën mbarë shoqëria shpreh mirënjohjen e thellë.
Shkolla, sipas Presidentit, mbetet vendi ku të rinjtë mësojnë të njohin botën, historinë, kulturën dhe vlerat, duke kuptuar kështu misionin e tyre për të ardhmen e vendit.