Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pranoi se në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) pas datës 20 të çdo muaji nuk do të mund të kryhen analiza për pacientët e shtruar, për shkak të mungesës së fondeve. Kjo situatë pritet të fillojë pas datës 20 prill sipas disa raportimeve.
Ministrja theksoi se po mblidhen të dhënat për të planifikuar shërbimin në mënyrë të mirë. "Aktualmente po vlerësojmë, kemi të gjithë të dhënat, e mbi bazën e të dhënave planifikimin e mirë të shërbimit. Nuk duhet të mungojnë analizat dhe këtë po e adresojmë dhe do ta zgjidhim brenda këtij viti", deklaroi ajo.
Sipas mjekëve, 80% e antibiotikëve mungojnë gjithashtu në spitale.
Në të njëjtën kohë, qeveria miratoi ndryshime sa i përket funksionimit të Komisionit të Çmimeve të Barnave. Ky vendim synon të rrisë transparencën në përcaktimin e çmimeve, të përshpejtojë procedurat administrative dhe të garantojë furnizimin e qëndrueshëm të barnave, veçanërisht të atyre që janë të vetmet në treg.
"Ky vendim vjen si një nevojë për shpejtimin e procedurave dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm të barnave për qytetarët", u shpreh ministrja Sala.