Pas humbjes së Portugalisë ndaj Spanjës me rezultatin 1-0, e cila shënoi eliminimin e portugezëve nga Kupa e Botës 2026, Cristiano Ronaldo ka mbajtur një fjalim para shokëve të skuadrës në dhomat e zhveshjes. Mbrojtësi Nelson Semedo ka konfirmuar se kapiteni i skuadrës i ka njoftuar bashkëlojtarët se ky ishte Botërori i tij i fundit.
“Cristiano Ronaldo foli me skuadrën në fund dhe gjithçka që mund të bëjmë është ta falënderojmë. Ai konfirmoi se ky ishte Botërori i tij i fundit”, deklaroi Semedo. Ai e vlerësoi Ronaldon si një shtyllë kryesore për Portugalinë, duke shprehur krenarinë për faktin se ka luajtur krah tij.
Lidhur me ndeshjen, Semedo pranoi zhgënjimin e thellë të ekipit për eliminimin, pasi objektivi i tyre ishte të shkonin sa më larg në këtë turne. Ai shtoi: “Ndonjëherë ndeshjet nuk shkojnë ashtu siç dëshiron dhe ne nuk arritëm ta tregonim cilësinë tonë në fushë”.
Edhe pse Ronaldo e ka konfirmuar përfundimin e aventurës së tij në Kampionatet Botërore, mbetet e paqartë nëse ai do të tërhiqet përfundimisht nga futbolli ndërkombëtar me fanellën e Portugalisë, pasi lojtari e ka lënë të hapur mundësinë për të vazhduar paraqitjet me kombëtaren në të ardhmen.