Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë ka ardhur në jetë fëmija i 11-të i një çifti. Foshnja, e cila ka marrë emrin Zeid, është anëtari më i ri i familjes së Fatmirës dhe Ervinit, të cilët janë prindër edhe të tetë vajzave dhe dy djemve të tjerë.
Nëna, Fatmira, ka deklaruar se të gjithë fëmijët i ka lindur në të njëjtin maternitet, ku ka marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor. Në një prononcim për mediat, ajo është shprehur e lumtur dhe e bekuar që ka një familje të madhe. “Jam e lumtur dhe e kënaqur që kam një familje të madhe. Të gjithë më pyesin si është jeta me shumë fëmijë, unë jam e lumtur sepse e kam shtëpinë plot”, tha ajo.
Stafi i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” e ka përshëndetur rastin përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar si një ngjarje të rrallë në kohën e sotme. Ky institucion shëndetësor, i cili i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë, ofron shërbime për rreth 20 mijë paciente në vit, duke qenë i pajisur me infrastrukturë dhe teknologji bashkëkohore për trajtimin e nënave dhe të porsalindurve.
Ky rast vjen në një kohë kur vendi po përballet me sfida të lidhura me rënien e numrit të lindjeve dhe plakjen e popullsisë. Për këtë arsye, lindja është vlerësuar nga stafi mjekësor dhe media si një ngjarje e veçantë dhe e rrallë.