Në Tiranë, më 27 prill, u nënshkrua marrëveshja për standardizimin e statistikave në sistemin e drejtësisë mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë Toni Gogu, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Silvio Gonzato, kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani, prokurori i përgjithshëm Olsian Çela, inspektori i lartë i drejtësisë Artur Metani dhe drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi.
Ministri Gogu e cilësoi marrëveshjen si hap thelbësor për funksionimin efektiv të sistemit. Ai theksoi se deri tani sistemi ka vuajtur nga mungesa e një metodologjie të unifikuar në mbledhjen dhe interpretimin e të dhënave. “E njëjta çështje, në institucione të ndryshme, numërohet ndryshe. Kjo do të thotë që shpesh nuk dimë saktë ku është problemi dhe në disa raste marrim vendime mbi baza jo të plota”, u shpreh ai.
Sipas Gogut, marrëveshja vendos një themel të domosdoshëm për çdo reformë: të dhëna të sakta dhe të njëtrajtshme. Ajo standardizon mënyrën e mbledhjes dhe klasifikimit të të dhënave, duke krijuar krahasueshmëri reale mes gjykatave, prokurorisë dhe institucioneve të tjera. “Do të dimë me saktësi sa kohë zgjat një çështje, ku krijohet stoku dhe ku duhet ndërhyrë”, deklaroi ministri.
Ai sqaroi rolin e Ministrisë së Drejtësisë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në institucionet e pavarura, por për krijimin e një gjuhe të përbashkët në të dhëna që mundëson analizë dhe politika më të sakta. Marrëveshja lidhet drejtpërdrejt me qytetarët, duke synuar përmirësimin e kohës dhe cilësisë së shërbimit gjyqësor. “Kjo nuk është një marrëveshje për statistika, por për kohën e qytetarit”, tha Gogu.
Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e saj për procesin e integrimit europian, ku progresi vlerësohet mbi baza konkrete dhe të verifikueshme të dhënash.