Vatra e zjarrit në masivin pyjor të Peshtanit, në Fier, është neutralizuar pas një ndërhyrjeje të menjëhershme të forcave zjarrfikëse. Reagimi në kohë rekord, me ndihmën edhe të banorëve të zonës, bëri të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme në sipërfaqe të tjera pyjore.
Sipas bilancit paraprak, flakët kanë përshkuar një sipërfaqe prej rreth 7 dynymësh me shkurre, ndërsa është djegur edhe një kasolle e braktisur. Aktualisht, grupet e zjarrfikësve vijojnë monitorimin e imtësishëm të perimetrit të prekur për të parandaluar çdo mundësi të riaktivizimit të zjarrit.
Në lidhje me situatën reagoi deputeti demokrat Luan Baçi, i cili kërkoi ndërhyrje të shpejtë të forcave në terren. Ai rikujtoi se vetëm pak javë më parë, një tjetër zjarr me përmasa të mëdha në Peshtan të Vogël kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke nënvizuar nevojën për masa parandaluese efikase.