Përfaqësuesi i platformës Liria ka Emër, Ismail Tasholli, ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë, Tasholli deklaroi se shoqëria shpreson që pas datës 16 shtator të nisin "orët e bardha". Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme në aktivitetet e zhvilluara për ish-krerët e UÇK-së.
Në kuadër të këtij mobilizimi, platforma ka nisur aktivitetin e quajtur Ora e Pritjes, i cili zhvillohet në sheshin Nëna Tereza në Prishtinë. Në këtë hapësirë publike është vendosur një ekran gjigant, i cili shfaq numërimin mbrapsht deri në datën 16 shtator. Ngjarja, e cila ka nisur në orën 10:00, synon të bashkojë artistë dhe personalitete të ndryshme në mbështetje të kësaj kauze.
Përditësime
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, iu bashkuan sot aktivitetit 'Ora e Pritjes' në sheshin 'Nëna Tereza'. Aktiviteti zhvillohet në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së. Ekrani i vendosur në shesh shfaq në kohë reale numërimin mbrapsht, duke detajuar ditët, orët, minutat dhe sekondat deri në datën 16 shtator.