Sot, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka nisur seanca gjyqësore në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për përfshirje në Masakrën e Mejës. Procesi, i cili filloi në orën 09:00, shënon një hap të rëndësishëm në zbardhjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Masakra e Mejës, e konsideruar si një ndër aktet më të rënda të luftës së viteve 1998-1999, u krye më 27 prill 1999. Në një operacion të planifikuar, forcat e ushtrisë serbe, policia, njësitë e beretave të kuqe, si dhe formacione të tjera paramilitare, ndërprenë qarkullimin në rrugët përreth për të izoluar zonën. Si pasojë e këtij operacioni, u vranë 376 djem dhe burra shqiptarë, të moshave 15 deri në 60 vjeç, nga 15 fshatra të rrethit të Gjakovës.
Viktimat u ekzekutuan pas grumbullimit në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa asnjë prej të ndaluarve nuk arriti të mbijetonte. Në periudhën e pasluftës, trupat e viktimave u gjetën në varreza të ndryshme masive nëpër Kosovë, ndërsa disa prej tyre mbeten ende të pagjetur.
Përditësime
Prokuroria ka strukturuar aktakuzën në tri grupe, duke ndarë të akuzuarit në planifikues, komandues dhe ekzekutorë. Procesi gjyqësor përfshin angazhimin e 53 avokatëve mbrojtës sipas detyrës zyrtare. Prokuroria ka propozuar dëgjimin e 43 dëshmitarëve, përfshirë dëshmitarin Nikë Peraj. Bilanci i viktimave të identifikuara është rritur në 377 persona, nga 376 të raportuara fillimisht. Hetimet kanë konfirmuar se pjesë e trupave të viktimave janë zhvendosur në varrezat masive në Batajnicë, Serbi.
Gjykata Themelore në Prishtinë shtyu seancën gjyqësore për shkak të mungesës së tre avokatëve mbrojtës. Seanca e radhës është caktuar për datën 25 shtator, ora 08:30. Aktakuza përfshin 270 civilë të vrarë në fshatin Mejë dhe 13 persona të pagjetur. Ndër të akuzuarit kryesorë figurojnë ish-shefi i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, Momir Stojanoviq, si dhe Franko Simatoviq, Sreten Çamoviq, Verolub Zhivkoviq, Illija Todorov dhe Dragan Zhivanoviq.