Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Ibish Çoçaj, në kohëzgjatje prej një muaji. Masa e sigurisë do të zgjasë deri më 18 shtator 2026, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit Penal.
Sipas njoftimit të gjykatës, Ibish Çoçaj, në cilësinë e pronarit të biznesit individual “Qendra për Verifikimin e Aftësive Profesionale”, ka lëshuar diploma mbi aftësimin profesional gjatë periudhës nga 4 janari deri më 15 nëntor 2021. Ky subjekt nuk ka qenë i akredituar dhe as i autorizuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Në diplomat e lëshuara pretendohej se pjesëmarrësit kishin përfunduar 900 orë praktikë dhe 400 orë teori.
Hetimet tregojnë se i pandehuri ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme, duke shkaktuar dëm material që tejkalon vlerën prej 50,000 euro. Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për paraburgim, duke theksuar rrezikun e ndikimit të të pandehurit te të dëmtuarit dhe dëshmitarët për të ndryshuar deklaratat e tyre. Procedura hetimore mbetet në zhvillim për sigurimin e provave të mëtejshme.