Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy shtetasve palestinezë M.O. dhe Z.N., të dyshuar për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të parasë.
Sipas njoftimit të prokurorisë, më 6 shkurt 2026, rreth orës 19:30, në pikën e derivateve Ballkan Petrol në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në fshatin Prelez i Jerlive, i pandehuri M.O. dyshohet se ka futur në qarkullim një banknotë të falsifikuar si të vërtetë. Kjo përbën veprën penale sipas nenit 296 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Më 7 shkurt 2026, në rrugën Skënderbeu në Kaçanik, të dy të pandehurit dyshohet se kanë poseduar bashkërisht para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim. Gjatë kontrollit të banesës nga policia u gjetën dhe sekuestruan 39 banknota nga 50 dollarë amerikanë, me vlerë totale 19.500 dollarë amerikanë, të dyshuara si të falsifikuara. Këto veprime përbëjnë falsifikim të parasë në bashkëkryerje, sipas nenit 296 paragrafi 2 në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal.
Të dy të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh me vendim të prokurorit të shtetit. Gjykata pritet të vendosë për kërkesën e paraburgimit.