Nora Gjakova, kampionia olimpike e Tokios 2020 në kategorinë deri në 57 kg, ka nisur zyrtarisht karrierën si trajnere në Federatën e Xhudos së Valonisë në Belgjikë.
Pas tërheqjes nga sporti aktiv më herët këtë vit, ajo i është bashkuar stafit të trajnerëve, ku do të punojë krah për krah me Pedro Guedes. Dyshja njihen më parë, pasi Guedes ka kaluar një periudhë të shkurtër si trajner në Kosovë. Synimi është zhvillimi i gjeneratave të reja të talenteve belgë.
Federata Judo Wallonie-Bruxelles ka shpallur emërimin në një postim në Facebook: “Mirësevini Nora Gjakova në Judo Wallonie-Bruxelles! Me shumë krenari e mirëpresim Nora Gjakovën në ekipin tonë si trajnere. Kampionia Olimpike e Tokios 2020 dhe fituese e shumë medaljeve në circuit-in ndërkombëtar, Nora sjell me vete një përvojë të nivelit të lartë, përkushtim dhe pasion që do të jenë të çmuara për zhvillimin e judokasve tanë.”
Gjakova ka një karrierë të pasur me 33 medalje në gara të nivelit botëror. Ajo ka fituar bronz në Kampionatin Botëror të Budapestit 2021, ar në Kampionatin Evropian të Tel Avivit 2018 dhe bronz në Lisbonë 2021. Suksese të tjera përfshijnë tituj në Grand Prix dhe Grand Slam, veçanërisht në Tbilisi dhe Baku.
Paraqitja e fundit e saj ishte në Grand Slamin e Parisit 2025, pas së cilës vendosi të tërhiqet. “Pas Grand Slamit të Parisit e kuptova se nuk doja të garoja më. Fizikisht isha në gjendje të mirë, por mendërisht isha e lodhur. Nuk kisha më asgjë për të dëshmuar”, ka thënë ajo. Vendimi erdhi pas një cikli të vështirë olimpik, ku pësoi lëndim të rëndë pesë muaj para Lojërave Olimpike, duke kërkuar stërvitje intensive deri në gjashtë orë në ditë.