Dy predha luftarake, të mbetura në fund të detit prej periudhës së Luftës së Dytë Botërore, janë nxjerrë në sipërfaqe gjatë një operacioni në Gjirin e Porto-Palermos. Ndërhyrja u krye nga palombarët e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit, në bashkëpunim me ekspertë të Xhenios, ushtarakë të Forcës Detare, si dhe përfaqësues të Emergjencave Civile dhe Bashkisë Himarë.
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, konfirmoi se mjetet shpërthyese ndodheshin në një thellësi të konsiderueshme, pranë kalatave të ankorimit për anijet turistike. Pavarësisht qëndrimit nën ujë për më shumë se 80 vjet, ekspertët vlerësojnë se predhat përbëjnë ende rrezik potencial nëse aktivizohen.
Pas nxjerrjes në sipërfaqe, mjetet luftarake janë marrë në dorëzim nga specialistët e ushtrisë. Ato janë transportuar drejt një vendi të sigurt për t'iu nënshtruar asgjësimit të kontrolluar.