Një infermiere e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë është bërë viktimë e një sulmi fizik ndërsa ishte duke ofruar shërbime shëndetësore në shtëpinë e një pacienti në lagjen “Kalabria”. Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë (OIK) ka reaguar zyrtarisht duke e dënuar ashpër këtë akt, të cilin e ka cilësuar si të papranueshëm.
Në deklaratën e saj, OIK-u thekson se profesionistët shëndetësorë duhet të gëzojnë siguri të plotë gjatë ushtrimit të detyrës, veçanërisht kur ata punojnë në terren për t’u ofruar kujdes qytetarëve. Sipas OIK-ut, incidente të tilla cenojnë drejtpërdrejt sigurinë e stafit dhe ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore. Institucioni u ka bërë thirrje organeve kompetente ligjzbatuese që ta hetojnë rastin me seriozitet maksimal dhe të ndërmarrin veprime ligjore ndaj personave përgjegjës.
Krahas reagimit të OIK-ut, edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, e ka dënuar këtë ngjarje. Ai ka deklaruar se dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë.