Oda e Inxhinierëve të Kosovës ka reaguar për ngjarjet e fundit në gropat ndërtimore dhe praktikat në shumë projekte ndërtimore, duke evidentuar moszbatimin e plotë të ligjit nga institucionet përgjegjëse.
Sipas reagimit, Ligji për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit përcakton se profesionet në ndërtim ushtrohen nga inxhinierë të licencuar, brenda kompetencave të përcaktuara sipas kategorive të licencës, me qëllim mbrojtjen e sigurisë publike.
Në praktikë, ligji nuk zbatohet plotësisht nga institucionet. Kontrolli mbi zbatimin e licencave dhe përgjegjësitë profesionale është i pamjaftueshëm, duke lejuar devijime nga standardet ligjore.
Oda e cilëson këtë si shkelje procedurale dhe rrezik direkt për jetën dhe pronën e qytetarëve. Shembjet e dheut në gropat ndërtimore janë pasojë direkte e këtij realiteti, me pasoja ekonomike të mëdha që mund të parandalohen.
Problemi shtrihet në investime të tjera ndërtimore, nga objektet banesore deri te infrastruktura, ku çdo kompromis me ligjin rrezikon sigurinë publike.
Oda rikujton se zbatimi i ligjit është detyrim ligjor dhe institucional. Bën thirrje te institucionet për zbatim pa kompromis të legjislacionit në fuqi.