Subjekti opozitar në Serbi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), i ka kërkuar policisë dhe prokurorisë në Krushevc të identifikojnë urgjentisht personat përgjegjës për përgatitjen dhe shpërndarjen e posterëve me thirrje për bojkot ndaj bizneseve shqiptare. Posterët, të cilët përdorin termin përçmues "Šiptari", u vendosën ndër të tjera edhe pranë një furre buke në pronësi të një shtetasi shqiptar.
Në reagimin e saj, PSG vlerësoi se ky veprim përbën shënjestrim të hapur të individëve për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare. Partia opozitare theksoi se këto përpjekje nxisin presion dhe dhunë, duke shtuar se përgjegjësia për vepra penale duhet të jetë individuale dhe jo kolektive. Sipas PSG-së, këto akte janë pasojë e propagandës së luftës dhe revanshizmit nacionalist.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh pas festimeve të Vidovdanit më 28 qershor, kur Policia e Kosovës arrestoi 37 persona në Gazimestan, nga të cilët 36 prej tyre u proceduan para gjykatës. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe prokuroria në Krushevc nuk kanë ofruar ende një përgjigje zyrtare në lidhje me kërkesën për hetimin e posterëve në fjalë.