Pas 29 ditësh protestash, të cilat nisën si kundërshtim ndaj projektit të Zvërnecit dhe më pas u zgjeruan me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, grupi organizues ka njoftuar kalimin në një fazë të re të mobilizimit. Aktivistë si Flora Xhemani Baba dhe anëtarë të Grupit Koordinues, si Përparim Gjeka, kanë bërë thirrje për formimin e institucioneve të reja shoqërore.
Sipas projektit, Kuvendi Kombëtar Qytetar do të përbëhet nga 150 anëtarë në përbërjen e rregullt, me mundësi zgjerimi deri në 300 anëtarë, duke përfshirë përfaqësues nga diaspora. Ky Kuvend parashikohet të përfshijë tri struktura kryesore:
• Kuvendi Kombëtar Qytetar;
• Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Kombëtar Qytetar;
• Mbledhja e Përgjithshme e Popullit Shqiptar.
Organizatorët shpjegojnë se ky organ do të koordinojë veprimet e protestës dhe do të propozojë emrat për një qeveri teknike tranzitore. Qytetarët që dëshirojnë të kandidojnë janë ftuar të kontaktojnë grupet përkatëse përmes aplikacioneve si WhatsApp dhe Messenger.
Ndërkohë, nisma ka shkaktuar debate. Analistë dhe media kanë ngritur pikëpyetje mbi përfaqësimin dhe përbërjen e këtyre grupeve. Kritikat fokusohen te mungesa e figurave nga fushat akademike, shkencore apo ekonomike, si dhe te realizueshmëria e modelit të propozuar, i cili është krahasuar me përpjekje të mëparshme për ngritjen e asambleve tranzitore.