Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë me gazetarin Çim Peka në Syri TV, ka folur për marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti gjatë negociatave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Ajo deklaroi se Kurti i kishte dhënë më parë mbështetje të plotë, duke premtuar se do ta përkrahte për një mandat të dytë presidencial. "Kurti është zotuar se do të më përkrahë në një kauzë të tillë, duke theksuar se bashkimi ynë është në interes. Ne do të vazhdojmë bashkë si ky binom që i dha shpresë Kosovës. Kurti më tha: ‘Je presidentja më e mirë në shekullin 21’", tha Osmani.
Osmani përmendi se kjo mbështetje erdhi si para, ashtu edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur bashkë morën mbi 400 mijë vota, duke çuar në zgjedhjen e Kurtit si kryeministër dhe të saj si presidente.
Megjithatë, situata ndryshoi kur u qartësuan shanset për rizgjedhjen e saj. "Nga kryeministri Kurti erdhi një vlerësim se grupi parlamentar dhe ai personalisht nuk e përkrahin kandidaturën time. E kam pranuar si fakt", shtoi ajo, duke shprehur se ndjen "një tradhti personale pas ndryshimeve në marrëdhëniet politike".
Sipas Osmanit, Kurti i kishte thënë të bindë opozitën për të qëndruar në sallë për kuorum, ndërsa punohej me kandidatë të tjerë pas shpinës së saj. Ajo konfirmoi se Kurti i ofroi një post ministror, por ajo refuzoi, duke thënë se nuk i interesonin pozitat. Përkrahja nuk u dha as kur propozuan ta kandidonte formalisht kundër Glauk Konjufcës.
Osmani përmendi se arsyet kryesore lidhen me punën e saj në politikën e jashtme, ku Kurti dëshironte një president që "fare nuk merret me politikë të jashtme". Ajo premtoi të zbulojë detaje të tjera në momentin e duhur.
Përditësime
Vjosa Osmani mohoi akuzat për puç dhe shpjegoi se ka kontaktuar deputetë opozitarë, LDK dhe komunitete joshumicë për të siguruar vota nëse Albin Kurti do ta propozonte për mandat të dytë.
Ajo theksoi se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit ishte obligim kushtetues, i konsultuar me juristë dhe politikanë deri natën e fundit.
Osmani deklaroi se i ka dhënë Kurtit datën 28 dhjetor për zgjedhje.
Ajo reagoi ndaj akuzave për organizim puçi me presidentin e Shqipërisë, duke kërkuar fakte nga Kurti.
Albin Kurti ka ruajtur konfidencialitetin e bisedave me Vjosën Osmani dhe ka thënë se do të flasë publikisht nëse ajo kthehet në politikë.
Kurti shpjegoi se zgjedhjet nuk mund të mbaheshin:
- më 21 dhjetor, për shkak të sfidave teknike dhe logjistike sipas shkresës së KQZ-së;
- më 4 janar, për arsye buxhetore.