Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti të enjten në Prishtinë të ngarkuarën me punë të Ambasadës amerikane, Anu Prattipati. Gjatë takimit, Osmani theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin e vendit, sipas njoftimit të zyrës së saj. Ajo ripërsëriti se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.
Takimi zhvillohet pas raporteve të gazetës amerikane Politico, e cila, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se SHBA-ja po kërkon nga aleanca të kufizojë veprimtarinë e saj të jashtëm, përfshirë misionin paqeruajtës KFOR në Kosovë. Rreth 590 forca amerikane shërbejnë në vend si pjesë e këtij misioni.
Një zyrtar i Pentagon-it deklaroi për Radios Evropa e Lirë se "sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave".
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit EULEX të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit. Misioni merr përsipër sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ku marrëdhëniet midis dy vendeve vazhdojnë të jenë të tensionuara.
Kosova vlerëson si qenësore lidhjet me Shtetet e Bashkuara, mbështetëse kryesore e pavarësimit dhe shtetndërtimit të saj. Koloneli i pensionuar amerikan Ray Wojcik deklaroi për REL-in se SHBA-ja mbetet shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionin e trupave amerikane mund të krijojë pasiguri dhe hapësirë për ndikime të jashtme.