Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se do të marrë vendim për të ardhmen e saj politike pas datës 4 prill, kur i përfundon mandati në krye të shtetit. Në një intervistë, ajo theksoi se çdo hap do të bazohet vetëm në interesin më të madh të vendit, të përcaktuar nga zhvillimet aktuale.
Osmani premtoi se do të kryejë detyrën e presidentes me nder deri më 4 prillit. Pas kësaj date, ajo do të bëjë një vlerësim të ri për situatën konkrete. "Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme", u shpreh ajo.
Ajo u ndal te vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit. Ky vendim jep kohë për sqarimin e situatës dhe lejon Gjykatën të marrë vendimin përfundimtar.
E pyetur për vazhdimin e angazhimit politik, Osmani nuk dha përgjigje të prerë. Ajo tha se do të shohë mundësinë më të mirë për të ndihmuar Republikën e Kosovës përpara, duke theksuar se politika është e paparashikueshme dhe interesi i vendit mbetet parësor.