Përmes një reagimi publik, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka falënderuar bashkëluftëtarët nga Shqipëria për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Një falënderim të veçantë organizata i ka adresuar edhe mërgatës shqiptare, e cila po organizon protesta dhe po kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në vende të ndryshme të botës.
Në deklaratën e saj, organizata vlerëson angazhimin e të gjithë atyre që po ngrenë zërin për këtë çështje. “Faleminderit vëllezër shqiptarë dhe bashkëluftëtarë nga Shqipëria! Po ashtu, OVL e UÇK-së falënderon nga zemra të gjithë mërgatën tonë, e cila po organizon protesta dhe po ngre zërin për drejtësi në çdo cep të botës”, thuhet në reagimin zyrtar të organizatës.
Ky reagim vjen në një periudhë kur kërkesa për drejtësi për çlirimtarët po përcillet nga komuniteti shqiptar në diasporë, duke u shndërruar në një aktivitet të shtrirë në shumë shtete, të cilin organizata e ka vlerësuar si mbështetje thelbësore për kauzën e tyre.