Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka publikuar një reagim lidhur me procesin e krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke ngritur çështjen e legjitimitetit dhe perceptimit publik ndaj tyre. Reagimi u bë publik më 14 mars 2026.
Themelimi pas raportit Marty
Sipas OVL-UÇK-së, themelimi i kësaj gjykate nuk ishte rezultat i një reforme të brendshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Procesi nisi pas raportit të paraqitur në Këshillin e Evropës në vitin 2011 nga senatori zviceran Dick Marty, i cili përmbante akuza të rënda ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë pretendime për trafikim organesh.
Ky raport krijoi presion të madh ndërkombëtar ndaj Kosovës, duke e vendosur vendin përballë një realiteti të ri politik. Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për themelimin e saj. Një pjesë e shoqërisë e pa këtë si domosdoshmëri shtetërore, ndërsa një pjesë tjetër si imponim ndërkombëtar, çka krijoi ndarje dhe krizë besimi.
Mandati i kufizuar dhe perceptimi
Mandati i gjykatës u fokusua vetëm te pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së, duke prodhuar perceptimin e një drejtësie të fragmentuar. Në opinionin publik shqiptar, shihet si një mekanizëm ndërkombëtar për gjykuar vetëm shqiptarët, i thelluar nga bashkëpunimi i institucioneve serbe me Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë.
Arrestimet e vitit 2020
Arrestimet e vitit 2020, që përfshinin ish-presidentin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe të tjerë, morën dimension simbolik. Ato u kryen përmes operacioneve të EULEX-it, me dhjetëra makina, forca speciale të maskuara dhe të armatosura rëndë, automjete të blinduara. Personave që kishin deklaruar gatishmëri për dorëzim vullnetar iu lidhën duart si kriminelëve në arrati, me arrestime në rrugë, konfiskime telefonash, ndalesa 24-orëshe dhe kontrolle shtëpish me ekspozim publik.