Në rrugën Faik Konica në Tiranë, një pallat i ndërtuar mbi kolektorin e ujërave të zeza pëson përmbytje të garazheve dhe dalje të ujërave në sipërfaqe prej më shumë se dy vitesh, sa herë ka reshje shiu.
Banorët shprehen se përballen me ndotje të ambientit, erë të rëndë dhe rrezik për shëndetin. Ata paguajnë detyrimet, por pastrojnë vetë garazhet e përmbytura me ujëra të zeza, që kërkojnë trajtim të specializuar dhe dezinfektim.
Në emisionin Fiks Fare, një banor u përball me inxhinierin e Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), Enton Osmani. Inxhinieri shpjegoi se kolektori kalon poshtë pallatit dhe çdo ndërhyrje për ta spostuar rrezikon strukturën mbajtëse të godinës. Devijimi kërkon një trase të re rreth 70 metra, por zona ka prona private dhe mungon kuota topografike, çka e bën të vështirë zgjidhjen teknike. Aktualisht, UKT kryen ndërhyrje me sonda dhe pompa për zhbllokime periodike.
Banori insiston se devijimi është i realizueshëm dhe problemi vjen nga ndërtime pa leje në zonë, që pengojnë tubacionin e ri. Inxhinieri pranoi se pronat përreth nuk janë në administrim të Bashkisë apo UKT-së.
Në përgjigjen zyrtare me shkrim për Fiks Fare, UKT njoftoi se ka inspektuar kolektorin disa herë dhe ka kryer ndërhyrje për zhbllokim. Ndërtimi mbi kolektor dhe mbështjellja me beton e bëjnë operimin dhe mirëmbajtjen të vështira, ndërsa zhvendosja has pengesa teknike e ligjore. Leja e ndërtimit është dhënë pa miratimin paraprak të UKT-së. Institucioni garanton vazhdimin e ndërhyrjeve emergjente.