Për ditën e diel, Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta. Moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira të pakta deri mesatare, të cilat do të përqendrohen përgjatë relieveve malore në lindje, jug dhe juglindje gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Në zonën e juglindjes, vranësirat do të jenë më të dendura.
Sa i përket reshjeve, parashikohen shira me intensitet të ulët përgjatë zonave malore. Në juglindje, reshjet pritet të jenë në periudha afatshkurtra, me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Qytetet ku temperaturat pritet të jenë më të larta përfshijnë Elbasanin, Fierin dhe Beratin.
Era do të fryjë nga kuadrati i perëndimit me një shpejtësi mesatare prej 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, ajo pritet të arrijë shpejtësi deri në 14 m/s. Valëzimi në det parashikohet të jetë i forcës 1-3 ballë.