Kristjan Asllani, futbollisti shqiptar i Interit, ka dy javë kohë për të vendosur ku do të vazhdojë karrierën, për të mos rrezikuar të mbyllë sezonin si spektator në pankinë ose tribunë.
Ai nuk përfshihet në planet e Interit apo Torinos dhe ka refuzuar propozimet e deritanishme. Një prej tyre erdhi nga Paris FC në Francë, klubi i pronarizuar nga miliarderi Bernard Arno.
Paris FC, i ngjitur në elitë falë investimeve të familjes Arno dhe bashkëpunimit me Red Bull, synon një hap cilësor. Portali francez Footmercato raporton se klubi nuk është tërhequr pas refuzimit të parë të Asllanit.
Drejtuesit e Interit mbështesin një transferim përfundimtar këtë dimër për të rilancuar karrierën e lojtarit. Opsioni i preferuar është blerja e kartonit, por merret parasysh edhe huazimi me të drejtë blerje. Përveç ekipeve italiane, interesohen klube turke dhe gjermane.
Paris FC është gati të shpenzojë për blerjen e plotë të kartonit të Asllanit dhe synon ta bindë lojtarin. Klubi luan në vitin e parë në Ligën 1, me objektiv mbijetesën, por me përforcime cilësore mund të bëhet protagonist në të ardhmen.