Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë lidhur me procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Dokumenti konstaton se vendi po përballet me vështirësi për shkak të përkeqësimit të standardeve në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe mungesës së përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Unionit.
Në rezolutë shprehet keqardhje për moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara në dokumentin joformal (non-paper) të nëntorit të vitit 2024, i cili synonte zhbllokimin e proceseve për hapjen e Kapitullit 3. Institucioni evropian dënon gjithashtu retorikën nxitëse të Qeverisë së Serbisë kundër shteteve anëtare që kanë shprehur rezerva për hapjen e këtij kapitulli.
Parlamenti Evropian nënvizon se besueshmëria e zgjerimit varet nga zbatimi i kushteve të rrepta. Megjithëse Serbia deklaron anëtarësimin në BE si objektiv strategjik, institucioni vlerëson se zotimet politike shpesh nuk janë ndjekur nga hapa konkretë. Autoritetet serbe janë thirrur që të dëshmojnë përkushtim të qëndrueshëm ndaj vlerave evropiane.
Në dokument theksohet rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor për sigurinë e BE-së. Parlamenti Evropian dënon përpjekjet për krijimin e sferave të ndikimit dhe aktivitetet që cenojnë sovranitetin e shteteve fqinje, duke theksuar se Serbia, për shkak të peshës gjeopolitike, ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e rajonit.
Përditësime
Parlamenti Evropian miratoi sot një rezolutë ku kërkohet përshpejtimi i reformave thelbësore dhe një ndryshim i qartë në politikën e jashtme të Serbisë. Dokumenti parashtron kërkesat prioritare për përparimin e vendit drejt anëtarësimit:
- Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.
- Brukseli shprehu shqetësim për bashkëpunimin ushtarak me Kinën, si dhe për ndikimin e dezinformatave ruse në aktivitetet hibride.
- Institucionet evropiane kërkuan rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e pavarësisë së drejtësisë dhe garantimin e proceseve zgjedhore demokratike.