Dhoma e ulët e parlamentit të Polonisë votoi të martën për të lejuar abortin në rastet e anomalive të fetusit dhe për të dekriminalizuar ofrimin e ndihmës për kryerjen e abortit. Votimi është pjesë e përpjekjeve të ligjvënësve për të zhbërë ndalimin pothuajse të plotë të abortit, të vendosur nga qeveria e mëparshme.
Legjislacioni mund të përballet me veton e presidentit Karol Nawrocki, i cili ka lënë të kuptohet se do të bllokojë çdo liberalizim të ligjit. Një projektligj tjetër, që do të lejonte abortin me kërkesë deri në javën e 12-të të shtatzënisë, po shqyrtohet në komisionet parlamentare.
Polonia, vend me shumicë katolike, vendosi ndalimin pothuajse të plotë të abortit në vitin 2021, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se ndërprerja e shtatzënisë për shkak të anomalive të fetusit ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Ndalimi shkaktoi protesta të gjera.
Koalicioni proevropian i kryeministrit Donald Tusk fitoi zgjedhjet e vitit 2023, pjesërisht duke premtuar lehtësimin e kufizimeve për abortin. Sipas ligjit aktual, aborti lejohet vetëm në rastet e përdhunimit ose incestit, si dhe kur shëndeti apo jeta e gruas janë në rrezik.